Ndërsa shumëkush mëngjesin e nis me kafe apo plane për pushimin e 1 Majit, në Prekaz ka nga ata që ditën e fillojnë në fermë dhe arë. Njëri prej tyre është Nexhat Hashimi – bujk, fermer dhe profesionist i arsimuar, i cili dëshmon se suksesi ndërtohet me punë dhe përkushtim.
I diplomuar në nivel master në Teknologji Ushqimore dhe me formim edhe në Ekonomi, Nexhati përfaqëson një ndërthurje të rrallë mes dijes akademike dhe traditës së punimit të tokës. Ai është shembull i gjallë se arsimi dhe bujqësia jo vetëm që nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por mund të bashkëpunojnë për të sjellë zhvillim të qëndrueshëm, shkruan Jepi zë
Çdo ditë e nis herët, duke u kujdesur për fermën, duke pastruar stallën dhe ushqyer bagëtitë, ndërsa njëkohësisht angazhimet profesionale nuk e ndalin nga dashuria për tokën. Përkundrazi, ai dëshmon se përkushtimi dhe disiplina janë çelësi i suksesit.
Në një kohë kur vëmendja shpesh devijohet drejt gjërave të parëndësishme, figura e Nexhat Hashimit vjen si një mesazh i qartë për të rinjtë: rruga drejt arritjeve kalon përmes punës së ndershme, dijes dhe pasionit për atë që bën./ Jepi zë