E shtunë, 27 Prill, 2024

Mungon Xhavit Haliti, shtyhet sërish gjykimi në rastin ku po akuzohet për sulm ndaj Arben Gashit

Për shkak të mungesës së të akuzuarit Xhavit Haliti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), sërish është shtyrë seanca në rastin ku Haliti po akuzohet për sulm ndaj deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, që kishte ndodhur në maj të 2018-ës.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Haliti, gjykatësi Driton Berisha deklaroi se është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo përmes parashtresës nga mbrojtësi i tij, avokati Kujtim Kërveshi, gjykata është njoftuar se Haliti nuk mund të jetë i pranishëm për arsye se do të udhëtojë jashtë vendit për arsye shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjyqtarit Berisha, kësaj parashtrese nuk i është bashkëngjitur asnjë provë konkrete që do ta bënte të besueshëm se me të vërtetë i akuzuari para pranimit të ftesës ka pasur të caktuar ndonjë termin mjekësor, qoftë këtu apo jashtë shtetit.

Ndërkaq i pranishëm në këtë seancë ishte avokati i tij, Kërveshi dhe i dëmtuari Arben Gashi me përfaqësuesin e tij, avokatin Ahmet Tahiri.

Ndërsa, lidhur me shtyrjen e kësaj seance, ka shprehur pakënaqësi avokati Tahiri, i cili kërkoi që të merren masa pasi që po zvarritet procesi, ndërsa gjykatësi Berisha ia tërheqi vërejtjen duke i thënë që të mos i tregojë si të veprojë.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme u shty.

Ndryshe, ky rast më parë ishte gjykuar nga gjykatësja Sulltane Hoti, mirëpo pas kalimit të saj në Departamentin e Krimeve të Rënda, tani gjykohet nga gjyqtari Driton Berisha.

Më 9 qershor 2022, kishte dështuar shqyrtimi gjyqësor shkaku se Xhavit Haliti ishte në udhëtim jashtë vendit. Edhe seanca e datës 8 korrik 2022, kishte dështuar në mungesë të të akuzuarit Haliti.

Në tetor të 2019-ës, Gjykata Themelore në Prishtinë sipas urdhrit ndëshkimor, i kishte dënuar me nga 1 mijë e 250 euro gjobë deputetin e PDK-së, Xhavit Haliti (për “Sulm”) dhe ish-deputetin e AAK-së, Gani Dreshaj (për “Kanosje”), të deputetit të LDK-së, Arben Gashi.

Për Dreshajn, gjyqtari Berisha tha se e ka pranuar urdhrin dhe ka bërë kërkesë për kthim në gjendjen e mëparshme, por bazuar në shkresat e lëndës, nuk ka vendim për atë kërkesë nga gjyqtarja Hoti.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur në maj të vitit 2019 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Xhavit Haliti më 18 maj 2018 në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë me dashje ka sulmuar deputetin- tani të dëmtuarin Arben Gashi, duke e shtyrë me krahë dhe bërryl në gjoks.

Me këtë, Haliti po akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 187, par.1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Ndërsa, deputeti Gani Dreshaj thuhet se po të njëjtën ditë, me dashje, e kishte kanosur deputetin Gashi me fjalët “Kom me ta prish fytyrën”.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer