Artisti i mirënjohur shqiptar i cili jeton në Austri, Haxhi Fejzullahi, hapi ekspozitën e tij personale në qytetin austriak, Voitsberg. Ekspozita u hap në galerin “Schlossberg am Tor” me titullin “Erde kennt keine Grenzen” – “Dheu nuk njeh kufi”, raporton albinfo.at
Ekspozita përfshin 21 punime me motive të ndryshme artistike, të realizuara me teknikën e tij personale në dhe me thëngjill.
Përmes pikturave, artisti paraqet ndërthurjen e dy kulturave, asaj shqiptare dhe austriake, duke sjellë një mesazh të fuqishëm artistik dhe kulturor.
Në veprat e tij, ai pasqyron gjithashtu komunën e Voitsberg-ut, e njohur si krahinë me traditë të thëngjillit, shkruan albinfo.at
Publiku i pranishëm u mahnit nga punimet dhe origjinaliteti artistik i Haxhi Fejzullahit. Hapjen e ekspozitës e bëri referentja për kulturë, Mag. Evelin Oswald, ndërsa fjalë përshëndetëse dhe falënderuese mbajti edhe nënkryetari i komunës së Voitsbergut, Christoph Kurti.
Po ashtu, kuratorja e ekspozitës, Mag. Ingeborg Pock, pedagoge e artit, vlerësoi lart vlerat artistike dhe kreativitetin e artistit Haxhi Fejzullahi.
