E mërkurë, 17 Korrik, 2024

Pse Serbia dhe Hungaria janë të rëndësishme për Xi Jinpingun?

Xi Jinping viziton Serbinë për herë të dytë në më pak se dhjetë vjet.

Krahas Parisit dhe Budapestit, Beogradi është një nga ndalesat e presidentit kinez në turneun evropian.

Kjo është vizita e parë e Xisë në Evropë në pesë vjet.

Në Beograd qëndron më 7 dhe 8 maj, kur shënohet edhe 25-vjetori i bombardimit të NATO-s në Ambasadën e Kinës.

Në Pekin, vizita në Serbi u përshkrua si forcim shtesë i “miqësisë së çeliktë” mes dy vendeve, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e quajti Xinë “mik të madh” të Serbisë.

Vedran Xhihiq, ligjërues në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Vjenës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kina po përpiqet që, në çdo mënyrë të mundshme, të gjejë një rrugë drejt tregut evropian dhe të forcojë ndikimin e saj në Evropë.

“Kina sheh në Hungari dhe në Serbi dy partnerët më të rëndësishëm në Evropë, një lloj dere që hap shtegun për një treg më të gjerë evropian, si dhe për disa investime strategjike”, thotë ai.

Si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia po i forcon marrëdhëniet e saj me Kinën, me të cilën bashkëpunon kryesisht në fushën e infrastrukturës.

Beogradi, gjithashtu, llogarit në mbështetjen politike të Kinës, sa u përket çështjeve që i konsideron me rëndësi jetike kombëtare, siç është Kosova.

Politologu Xhihiq vlerëson se vizita e presidentit kinez në Serbi, përveç aspektit ekonomik dhe tregtar, dërgon edhe një mesazh politik – se Serbia ka alternativë.

“… se përpiqet të punojë për thellimin e bashkëpunimit edhe me aktorë jashtë Perëndimit dhe, në këtë mënyrë, paraqitet si një lloj lojtareje autonome në plejadën e re gjeopolitike”, thotë ai.

Vuk Vuksanoviq, studiues i lartë në Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Serbia, me këtë vizitë, po pozicionohet edhe krah Rusisë.

“Serbia po demonstron edhe një herë se Kina, jo Rusia, është për momentin partnerja e saj më e rëndësishme në Lindje, sidomos tani kur lidhjet ruso-serbe janë nën vëzhgim të vazhdueshëm, për shkak të Ukrainës”, thotë Vuksanoviq.

Serbia është ftuar vazhdimisht nga Brukseli dhe Uashingtoni për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Autoritetet në Beograd thonë se e mbështesin integritetin territorial të Ukrainës, por refuzojnë t’i vendosin sanksione Rusisë.

Eorsi: Jam i habitur nga veprimet e Qeverisë hungareze

Matyas Eorsi, ekspert i politikës së jashtme nga Budapesti, thotë për Radion Evropa e Lirë se është i befasuar nga veprimet e Qeverisë hungareze.

“Luftojnë për sovranitet kur bëhet fjalë për BE-në, por po i hapin dyert Kinës”, thotë ai.

Shton se kontratat për investimet kineze, të cilat Qeveria hungareze i ka nënshkruar, janë ende sekrete.

“Ne nuk i dimë detajet e këtyre marrëveshjeve, por shohim se Kina nuk po ndan teknologjinë që mund të jetë e dobishme për Hungarinë”, thotë Eorsi.

Çfarë thonë në Pekin dhe në Beograd?

Serbia është partnerja e parë strategjike gjithëpërfshirëse e Kinës në Evropën Qendrore dhe Lindore, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze, Lin Jian.

“Kina e sheh këtë vizitë si një mundësi për të forcuar më tej miqësinë tonë të çeliktë, për të thelluar besimin e ndërsjellë politik dhe për të zgjeruar bashkëpunimin praktik”, tha Lin.

Duke folur në një konferencë për gazetarë më 29 prill, Lin tha se dy vendet i mbështesin me vendosmëri interesat thelbësore të njëri-tjetrit dhe se Xi dhe Vuçiq do të shkëmbejnë pikëpamje për çështjet ndërkombëtare dhe rajonale me interes të përbashkët.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha se gjatë vizitës së presidentit kinez, Serbia do të iniciojë projekte të zhvillimit të përshpejtuar teknologjik, në sfera ku nuk ka njohuri të mjaftueshme.

Vuçiq përmendi robotikën dhe teknologjinë e satelitëve dhe të makinave fluturuese.

“Është një mënyrë për ta mbajtur ritmin me botën dhe për t’i zhvilluar më tej marrëdhëniet tona më të mira”, tha Vuçiq gjatë një fjalimi më 29 prill.

Një ditë më vonë, Qeveria e Serbisë njoftoi se ka miratuar aktet e nevojshme për përmirësimin e bashkëpunimit me Kinën në disa fusha – arsim, shkencë, inovacion e zhvillim teknologjik.

Përvjetori i bombardimit të Ambasadës kineze

Vizita e presidentit kinez në Serbi përkon me përvjetorin e bombardimit të Ambasadës kineze në Beograd nga NATO-ja.

Më 7 maj të vitit 1999, pesë bomba nga avionët amerikanë goditën Ambasadën kineze, e cila më pas u përfshi nga flakët.

Tre persona u vranë, përfshirë dy gazetarë kinezë, dhe së paku 20 persona të tjerë u plagosën.

Zyrtarët e NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara thanë më vonë se bombardimi i Ambasadës kineze nuk ishte i qëllimshëm.

Më 1999, NATO-ja kreu një fushatë të sulmeve ajrore kundër Jugosllavisë së atëhershme, me qëllim që t’i ndalonte sulmet e forcave serbe ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.

Xhihiq thotë se në Serbi ekziston një retorikë e caktuar për veprimet e NATO-s, e cila përdoret për të prodhuar emocione antiperëndimore dhe antiamerikane.

Sipas tij, kjo retorikë aludon në një lloj konkurrence apo “konflikti” mes Perëndimit në njërën anë dhe Rusisë, Kinës dhe disa vendeve të tjera në anën tjetër.

“Serbia, pra presidenti serb para së gjithash, përpiqet të lundrojë mes këtyre poleve. Dhe, pastaj, kur presioni nga Perëndimi është i madh, mbështetet te partnerët nga Lindja”, thotë Xhihiq.

Tani, vlerëson Xhihiq, Perëndimi është bërë “shumë, shumë më kritik ndaj regjimit të Aleksandar Vuçiqit sesa ishte disa vite më parë”.

Gjatë vizitës së tij shtetërore në vitin 2016 në Serbi, Xi Jinping vendosi një kurorë me lule në monumentin e viktimave të bombardimit të Ambasadës.

Më pas, në vendin e Ambasadës së prishur kineze, u hodh gurthemeli për ndërtimin e Qendrës Kulturore Kineze, e cila konsiderohet si një nga më të mëdhatë në të gjithë Evropën.

Forcimi i “miqësisë së çeliktë”

Marrëdhëniet e Serbisë me Kinën janë forcuar prej se Partia Përparimtare Serbe (SNS) ka marrë pushtetin në Serbi, 12 vjet më parë.

Gjatë vizitës së parë të presidentit kinez në Serbi, në vitin 2016, është nënshkruar Deklarata për Partneritet Strategjik ndërmjet Serbisë dhe Kinës.

Shtatë vjet më vonë është nënshkruar Marrëveshja e Tregtisë së Lirë, të cilën zyrtarët serbë e kanë përshkruar si një ngjarje me “rëndësi historike” për Serbinë.

Miliarda dollarë investime kineze janë duke arritur tashmë në Serbi.

Ministri i Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme në Qeverinë e Serbisë, Tomisllav Momiroviq, tha më 30 prill se Kina është ndër investitorët më të mëdhenj në Serbi, pasi ka investuar 5.5 miliardë dollarë në ekonominë e saj në periudhën 2014-2023.

Politologu Xhihiq thotë se Kina ka interesa strategjike ekonomike në Serbi.

“Niveli i investimeve kineze është i lartë në krahasim me të gjitha vendet e tjera të rajonit dhe kjo është, padyshim, diçka për të cilën Kina është e interesuar”, thotë ai.

Në ndërtim e sipër është edhe hekurudha e shpejtë Beograd-Budapest, e cila është pjesë e projektit strategjik kinez “Brezi dhe Rruga”.

Kina ka nisur projektin “Brezi dhe Rruga” në vitin 2013, me qëllim zhvillimin e rrugëve dhe tregjeve të reja tregtare për eksportet kineze.

Megjithatë, huamarrja e Serbisë nga Kina është në rritje, po ashtu.

Shumica e kredive janë marrë për projekte infrastrukturore, rrugë, ura dhe hekurudha, kryesisht nga Banka Kineze EXIM (Export – Import Bank Of China).

Kjo bankë, sipas të dhënave të Administratës së Borxhit Publik të Ministrisë së Financave në Serbi, është ndër pesë kreditorët më të mëdhenj të Serbisë.

Të dhënat e Bankës Kombëtare të Serbisë tregojnë se borxhi i Serbisë ndaj Kinës ka arritur 15 herë vlerën e tij në 11 vjetët e fundit.

Pajtimi për çështjet politike

Beogradi dhe Pekini bien dakord për shumë çështje politike.

Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në vitin 2008, ndërsa Serbia mbron politikën e një Kine.

Beogradi zyrtar llogarit në mbështetjen e Kinës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në lidhje me mosnjohjen e shtetësisë së Kosovës.

Në shkurt, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tërhoqi vëmendjen e publikut ndërkombëtar me deklaratën për Rrjetin Global Televiziv Kinez, se Tajvani është territor kinez dhe se “i takon Kinës të vendosë se çfarë të bëjë me të”.

Pekini e trajton Tajvanin si provincë renegatë, ndërsa Tajvani e sheh veten si shtet sovran.

Gjatë vizitës së tij në Kinë në tetor të vitit 2023, Vuçiq tha se është i lumtur që Serbia nuk i është bashkuar asnjë deklarate kundër Kinës.

“Në kushtet e presionit të konsiderueshëm ndaj Serbisë, vendi ynë është i vetmi në Evropë që nuk u është bashkuar asnjëherë deklaratave, që do të kritikonin apo sulmonin Kinën për ndonjë çështje”, tha ai.

Vuksanoviq nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë vlerëson se sfida kryesore për Serbinë është se si të ruajë një ekuilibër mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Ai thotë se i duket se autoritetet në Serbi kanë gjetur një formulë, sipas së cilës Uashingtoni është partneri i tyre dominues në siguri dhe potencialisht rreth Kosovës.

“Ato konsiderojnë se mund të mbajnë një ekuilibër me Kinën për sa kohë që ai reduktohet ekskluzivisht në bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimin e lartë diplomatik dhe nuk ka ndonjë lëvizje më të thellë provokuese drejt Uashingtonit”, thotë Vuksanoviq.

Më herët, Qeveria serbe ka tërhequr vëmendjen e Uashingtonit dhe të Brukselit, pasi ka blerë dronë dhe sisteme të mbrojtjes raketore nga Kina, si dhe mijëra sisteme vëzhgimi me aftësi për njohjen e fytyrës nga kompania kineze, Huawei. /REL/

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer