Marketet e mëdha në Kosovë po vazhdojnë të mashtrojnë konsumatorët me çmime, duke vendosur çmime më të lira në ekspozim e më të larta në momentin kur konsumatori paguan.
Veriu.info ka siguruar një vendim të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, me të cilin është gjobitur ‘simbolikisht’ me 1 mijë euro kompania “Viva Fresh” Sh.P.K. për shitje në arkë të produktit me çmim më të lartë se sa çmimi që ishte vendosur në raft.
Në arsyetimin e vendimit të IQMT-së thuhet se më 19 mars 2026 kanë pranuar ankesë nga një konsumator, me ç’rast kanë kryer një inspektim në “Viva Fresh” – Prishtinë, ku është konstatuar se produkti “Trekëndësh me djath Bosna” është kalkuluar në arkë me çmim më të lartë se sa në raft.
Çmimi në rast të produktit “Trekëndësh me djath Bosna” ka qenë 0.55 euro, ndërsa për pagesë çmimi te arka fiskale është kalkuluar me çmim 0.65 euro me 10% ulje dhe çmimi përfundimtar 0.58 euro. Prandaj, një veprim i tillë i subjektit afarist është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit”, thuhet në vendimin e IQMT të Ministrisë së Tregtisë, të siguruar nga Veriu.info.
Ndryshe, pronar dhe drejtues i kompanisë “Viva Fresh” Sh.P.K., në kuadër të së cilës funksionon rrjeti i marketeve “Viva Fresh Store”, është Xhevdet Rexhepi, i cili zotëron 100% të aksioneve të kompanisë.

