E mërkurë, 17 Korrik, 2024

Shtyhet gjykimi ndaj ish-kryetarit të Leposaviqit dhe biznesmeneve nga Skenderaj

Në mungesë të të akuzuarit Mensur Rama dhe avokatëve Imer Beka dhe Kimete Krasniqi u shty seanca në rastin ku për korrupsion e krim të organizuar po akuzohen ish-kryetari i Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq dhe 14 të tjerë.

Në këtë rast, Jabllanoviq po akuzohet për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, së bashku me Haxhi Bejtën, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq.

Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, po akuzohen për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Rama, mbrojtësi i tij avokati Lutfi Tahiri njoftoi gjykatën se i njëjti ishte jashtë vendit dhe rrugës i ishte prishur vetura dhe për atë arsye nuk kishte mundur të arrinte në seancën e sotme.

Ndërsa lidhur me mungesën e avokatit Beka, mbrojtësi i të akuzuarit Haxhiu, avokati Ahmet Tahiri tha se kishte biseduar me të njëjtin dhe se ai i kishte thënë se nuk mund të prezantonte në seancën e sotme për arsye shëndetësore.

Kurse lidhur me mungesën e mbrojtëses së të akuzuarit Kadiq, avokates Kimete Krasniqi kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani vetëm konstatoi se nuk prezantonte.

Në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme u shty.

Ndryshe, në këtë rast akuzohej edhe J.B, mirëpo më 16 tetor 2023, gjykata ka pushuar procedurën penale ndaj saj pasi që e njëjta ka ndërruar jetë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të ngritur më 13 shtator 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.

Të pandehurit në këtë rast, akuzohen se e kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”.

Vepra penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, paragrafi 1 të KPRK-së dënohet me gjobë deri në 250 mijë euro dhe me burgim prej së paku shtatë vjet, ndërsa sipas paragrafit 2 të këtij neni, kjo vepër dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim prej së paku 10 vjet.

Kurse, vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, kurse vepra penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

GjykimiLeposaviq

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer