Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se Kosovës i duhet një kryeprokuror i ri dhe se shumica e problemeve në prokurori lidhen me kryeprokurorin Blerim Isufajn.
Prokuroria Speciale tha se ushtron mandatin e saj në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme.
“Prokuroria Speciale dhe Kryeprokurori i saj, z. Blerim Isufaj, nuk komentojnë deklarata me karakter politik, veçanërisht në rastet kur ato janë të pavërteta dhe nuk mbështeten në fakte apo procedura zyrtare institucionale”, thuhet në reagim.
Tutje, PSRK vlerëson se besueshmëria dhe integriteti institucional ndërtohen mbi punën, transparencën dhe respektimin e ligjit, “e jo mbi deklarata politike”.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se do të vazhdojë ushtrimin e kompetencave të saj në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.
Kurti deklaroi se “duhet një kryeprokuror i ri, jo Blerim Isufaj”, duke e akuzuar atë për gjendjen në sistemin prokurorial.
“Duhet një kryeprokuror i ri, jo Blerim Isufaj. Unë po them kush s’duhet të jetë. A e kuptoni në çfarë gjendje jemi për shkak të një personi. Sa i përket prokurorisë shumica e problemeve kanë emër të përveçëm e që është Blerim Isufaj. Duke qenë që unë nuk jam Luigji XIV atëherë Kuvendi duhet ta bëjë reformimin me proces të Vettingut dhe Byrosë së Pasurisë së Pajustifikueshme. Luigji XIV e ka sjellë këtë kryeprokuror dhe po akuzohem unë”, ka thënë Kurti në “Interaktiv” të KTV-së.