E shtunë, 27 Korrik, 2024

Shoferi i dehur shkakton rrezik në trafik, Policia e ndjek deri te shtëpia – i sulmon posa e ndalojnë

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Plot raste të tilla ndodhin edhe në komunikacion, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur të shtunën, në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj, ku Policia u përballë me një shofer, i cili dyshohet se derisa ishte ne gjendje të dehur ka rrezikuar veten dhe pjesëmarrësit në trafik, duke bërë lëvizje të pakontrolluara.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari L.H., ishte urdhëruar nga Policia që të ndalonte, por i njëjti shpërfilli zyrtarët policorë dhe vazhdoi lëvizjen me veturë, çka i detyroi ata që t’i viheshin pas duke e ndjekur.

Pas një periudhe të shkurtër, Policia nuk pati nevojë që ta ndalojë, pasi i dyshuari u dorëzua por policët hasën sërish në rezistencë. I riu nuk pranoi që të prezantojë dokumentet për t’u identifikuar dhe për të mos mbaruar me kaq ai edhe e shtyu njërin nga zyrtarët policorë, të cilin tentoi edhe ta kap për fyti.

Për ta vënën situatën nën kontroll, Policia fillimisht kërkoi asistencë nga disa njësi policore dhe pavarësisht pengesave në të cilën hasën, i dyshuari u arrestua dhe u dërgua në stacion policor.

Ndaj tij, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit për 48 orë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes se detyrës zyrtare”.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer