Të enjten e 26 janarit, zyra e filialit të kompanisë energjetike KEDS-KESCO ishte pre e një grabitjeje të armatosur. Dy persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë arritur qe t’i marrin nga punëtorët rreth 4 mijë euro para të gatshme. Të dyshuarit më pas ishin arratisur nga vendi i ngjarjes për në drejtim të fshatit Jezerc të Ferizajt, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë ditës së djeshme, përpos katërshes që u kap për disa grabitje në Ferizaj e Shtime, është arritur që të arrestohet edhe një tjetër person i dyshuar lidhur me rastin.
45-vjeçari që u arrestua dje, dyshohet se i ka ofruar ndihmë të dyshuarit tjetër që ndodhet ende në arrati, Veton Esati, që të kalojë në Maqedoni të Veriut në mënyrë ilegale.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin dhe me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë. I njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale’.
Kujtojmë se Gazeta Sinjali dje raportoi për arrestimin e katër personave, të cilët dyshohet se duke funksionuar në grup, në fillim të këtij viti kanë bërë kërdi në disa pompa te derivateve në fshatrat e Ferizajt si Sojevë, Rakaj, Mirosalë, si dhe në Shtime.
Muxhahid Brava 35-vjeçar, Fatlind Gashani 21-vjeçar, Xhemrush Salijaj 35-vjeçar dhe Shkelqim Roshaj 29-vjeçar janë arrestuar sot, ndërsa i dyshuari i pestë, Veton Esati 30-vjeçar, ka arritur që të arratiset.
Për këtë të fundit, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, në bazë të autorizimit nga Prokuroria Themelore, ka lëshuar kërkesë për bashkëpunim me qytetarët me qëllim identifikimin dhe vendndodhjen e Esatit.
“Personi i dyshuar është : Veton (Fevzi) ESATI, i lindur me datë 02.06.1993 me vendbanim në fshatin Bibaj të Ferizajt . Deri më tani, i dyshuari nuk është paraqitur në polici dhe është në arrati. Policia kërkon nga qytetarët që, kushdo që ka ndonjë informacion rreth këtij personi për vendodhjen e tij, të lajmërojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdetarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406 Të dhënat e juaja do të ruhen në konidencialitet të plotë”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.